Sot në Asamblenë e zgjeruar të Forumit të Gruas Socialiste. Partia Socialiste është me krenari partia e grave dhe e vajzave shqiptare; është partia që ka krijuar një hapësirë deri dje të pamendueshme për pjesëmarrjen e grave dhe të vajzave në politikë dhe në vendimmarrje, jo vetëm duke imponuar si kusht që në çdo këshill bashkiak, 50% e përfaqësuesve të komuniteteve të jenë gra dhe vajza, por duke shkuar përpara edhe pa imponime ligjore të kësaj natyre, si partia që i ka dhënë jetë qeverisë me numrin më të madh të grave në historinë politike të këtij vendi, dhe me më shumë gra sesa të gjitha gratë e përfshira në qeveri, deri në ditën kur u krijua qeveria jonë e re.

Çfarë ne kemi bërë dhe do të vazhdojmë të bëjmë me gratë e me vajzat është shprehja më kuptimplotë e ambicies sonë për të ndërtuar Shqipërinë e gjeneratës tjetër. Sepse një shoqëri ku gruaja është më pak e respektuar dhe më shumë e penguar sesa burri, është një shoqëri e destinuar të jetë ekonomikisht e dobët, shoqërisht e lëkundur dhe pa një të ardhme të sigurt.

DEKLARATA E PLOTE E ASAMBLESE

Asambleja Kombëtare e Forumit të Gruas Socialiste vlerëson se beteja për garantimin e barazisë gjinore, është betejë e të gjithë shoqërisë, e grave dhe burrave. Ajo është betejë e kohës që jetojmë dhe efektet pozitive të saj prekin të gjithë shoqërinë pa dallim.

Forumi Gruas Socialiste e shikon barazinë gjinore si zgjidhje për sfidat e ndërlidhura me procesit të integrimit europian të vendit. Shoqëria shqiptare dhe barazia gjinore përcaktojnë shkallën e progresit të njëra-tjetrës.

Forumi Gruas Socialiste shpreh shqetësimin se proceset zgjedhore në Shqipëri janë shoqëruar me diskriminim gjinor, sikurse është votimi familjar, përqindja e ulët e grave si komisionere zgjedhore dhe nën këtë presion edhe rastet e pjesëmarrjes e vogël e grave në votimet elektorale.

Për Forumin e Gruas Socialiste, respektimi i të drejtave të njeriut është detyrim qytetar dhe institucional përmbushja e të cilave i takon njësoj si grave edhe burrave. Një hoqërie cila vepron në kuadër të parimeve demokratike, një shoqëri e cila synon të ketë qeverisje të mirë dhe sistem elektoral të drejtë e të lirë, nuk ndërtohet si e tillë pa përfshirje të plotë e të denjë të të dy gjinive. Pa balancim gjinor në procesin zgjedhor në Shqipëri nuk mund të zhvillohet demokraci gjithëpërfshirëse pasi nuk mund të ketë demokraci me një gjini.

Asambleja Kombëtare e Forumit të Gruas Socialiste inkurajon gratë parlamentare të mbështesin nismën e deputetes Olta Xhacka për barazinë gjinore në vend, që të gjithë së bashku të krijojmë mundësitë që gratë të jenë pjesë e politikës. Përfaqësimi më i lartë i grave në politikë e parlament, do të bëjë që pikëpamjet dhe interesat e grave dhe vajzave të përfaqësohen dhe mbrohen. Kjo do të reflektojë politika më të mira për fëmijët e familjen dhe do të sigurojë modele për një shoqëri më demokratike.

Forumi i Gruas Socialiste e përcakton barazinë gjinore, përfaqësimin dhe pjesëmarrjen e gruas në politikë si çështje thelbësore të demokracisë dhe të të drejtave të njeriut në Shqipëri. Rritja e pjesmarrjes së grave në strukturat vendimmarrëse dhe jetën politike pas zgjedhjeve të vitit 2013 është mundësi për fuqizimin e rolit të grave në vend.

Asambleja e Forumit të Gruas Socialiste vlerëson se grate janë shtylla ku gjen mbështetje shoqëria shqiptare, të cilat me punën e tyre shpesh herë të padukshme mundësojnë progresin e saj. Shqipëria ka nevojë për një platform emancipimi e cila beson në aftësitë dhe fuqinë e gruas.

Forumi Gruas Socialiste nxit angazhimn i cili vjen nga institucionet, nga komuniteti dhe nga familja si tre pjesët e shoqërisë të cilat përcaktojnë jetën e një gruaje që në hapat e saj të parë. Ato përcaktojnë cilësinë zhvillimin e familjes dhe të zhvillimit të shoqërisë sonë. Forumi i Gruas Socialiste do të fillojë riorganizimin e vet për të garantuar një shoqëri demokratike europiane dhe për ta bërë realitet emancipimin e plotë të gruas shqiptare në shoqëri.

Forumi Gruas Socialiste e përcakton si çelësin e avancimit shoqëror integrimin e plotë të gruas në jetën e vendit. Shoqëritë që garantojnë barazinë gjinore janë shoqëri më të suksesshme të cilat kanë zhvillim më të shpejtë dhe demokraci më të konsoliduar. Beteja jonë për barazinë gjinore është betejë për Shqipërinë.

Lini nje koment