PËR PROJEKTLIGJIN “PËR DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 10019, DATË 29.12.2008 “KODI ZGJEDHOR I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË” TË NDRYSHUAR

Një grup deputetësh, bazuar në Kushtetutën e Republikes së Shqipërisë, në ushtrim të së drejtës ligjvënëse që sanksionon neni 81, pika 1 e saj, paraqesin për shqyrtim dhe miratim në Kuvend këtë nismë legjislative.

Nisma për disa ndryshime në Kodin Zgjedhor lidhet edhe me zgjedhjet elektorale për Kuvendin e Shqipërisë të cilat do të zhvillohen në vitin 2017. Ajo ka qëllim kryesor aplikimin e kuotave gjinore për listat shumëmërore të partive politike dhe të koalicioneve në zgjedhjet e përgjithshme në masën 50 %.

Në Shqipëri, megjithë përpjekjet e bëra deri tani, si nga vetë forcat politike, ashtu edhe nga shoqëria civile, politika mbetet një fushë ku ekzistojnë diferenca të dukshme gjinore.

Kuotat gjinore u vendosën për herë të parë në Shqipëri në ndryshimet në Kodin Zgjedhor të vitit 2008, të vlefshme për zgjedhjet parlamentare të vitit 2009. Por, pas këtyre zgjedhjeve u konstatua se partitë politike arritën ta shmangin këtë detyrim ligjor, duke u justifikuar me sanksione minimale.

Megjithë kërkesën e Kodit Zgjedhor për një kuotë 30 për qind për gratë në listat e kandidatëve për zgjedhje në çdo qark, partitë politike përfituan nga fakti që listat e deputetëve janë të mbyllura dhe i kandiduan gratë në fund të listës, ku shanset e tyre për t’u zgjedhur qenë minimale. Në disa raste, partitë politike kandiduan më shumë kandidatë se sa numri i deputetëve teorikë që mund të fitonin për të pasur 30 për qind gra në lista, pavarësisht se këto gra nuk kishin as edhe një shans matematikor për t’u zgjedhur.

Me parimin e “kuotës“ në Kodin Zgjedhor në parlamentin 2009-2013, vetëm 16 për qind e deputeteve ishin gra. Në zgjedhjet e vitit 2013, partitë politike shmangën hapur kuotat gjinore të imponuara nga ligji dhe për këtë u dënuan sëbashku në një vlerë me 22 milionë lekë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në shtator 2013.

Kuvendi i Shqipërisë aktual kishte 19 deputete gra ose vetëm 13 për qind. Pas dorëheqjes së pjesës më të madhe të kabinetit qeveritar nga posti i deputetit, numri i grave në parlament u rrit në 29 ose në rreth 21 për qind.

Nisur nga situata e krijuar dhe duke vlerësuar rëndësinë e zhvillimit të një procesi zgjedhor të drejtë dhe të bazuar në ligj, duke mbajtur në konsideratë se në zgjedhjet e fundit vendore të vitit 2015 pati një hop cilësor në parashikimin në Kodin Zgjedhor për aplikimin e kuotave gjinore për kandidatët për këshillat bashkiakë;

Duke pranuar se në zgjedhjet e fundit vendore të vitit 2015 ku u aplikua parimi barazisë gjinore ndikoi pozitivisht në pjesëmarrjen e grave në politikë;

Duke konsideruar deklarimet publike politike të partive kryesore në pritshmëritë e pjesëmarrjes së grave në politikë;

Ne, deputetët nënshkrues të kësaj nisme, propozojmë për miratim në Kuvendin e Shqipërisë aplikimin i kuotave gjinore në masë të barabartë në kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë.

Përfaqësimi i barabartë  (50% me 50 %) për secilën gjini do të ketë një efekt cilësor në pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e grave në politikë.  Ky është një vlerësim logjik se një sistem politik nuk mund të quhet demokratik në se gjysma e elektoratit nuk është e përfaqësuar në mënyrë të barabartë;

Sistemet proporcionale të përfaqësimit me lista shumëemërore të mëdha funksionojnë më mirë kur bëhet fjalë për zbatimin e parimit të barazisë gjinore. Në shumë vende, megjithë debatet, kuotat janë pranuar dhe zbatuar, pavarësisht faktorëve të ndryshëm ndikues;

Ne deputetët propozues, me anë të kësaj nisme ligjvënëse, shprehim vullnetin tonë politik që këto kuota të unifikohen për listat shumemërore të partive politike, dhe koalicionet e partive, duke garantuar një barazi të plotë përfaqësimi të grave të politikë.

Projektligji amendon nenet 67 dhe 68 në lidhje me përfshirjen e kuotës 50% për secilën gjini në listat e partive politike dhe koalicionet e partive.

Garantimi i kësaj kuote në Kodin Zgjedhor për zgjedhjet për Kuvendin, është një plotësim që duhet bërë, me qëllim që të vendoset i njëjti standard si në rastin e zgjedhjeve vendore. Nuk do të kishte kuptim që në të njëjtin Kod Zgjedhor të aplikoheshin parime të ndryshme të barazisë gjinore për zgjedhjet lokale dhe ato politike.

Në këtë propozim, është parashikuar edhe procedura që KQZ duhet të kryejë për verifikimin e plotësimit të detyrimit ligjor për kuotën gjinore për listat e partive, si dhe afatet kohore për këto procedura.

Kjo nismë ligjvënëse depozitohet në Kuvend në kohën kur Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore ka filluar punën për hartimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, në përmbushje të rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it, mbi bazën e zgjedhjeve të fundit.

Në këtë kuadër, vlerësojmë dhe kërkojmë sipas procedurës që kjo nismë të bëhet objekt diskutimi dhe votimi në Komisionin e Posaçëm, i cili ta përfshijë në propozimet e veta që do të miratohen me konsensusin e të gjitha forcave politike parlamentare.

Kjo nismë është në përputhje me Kushtetutën, nenin 81, pika 2 dhe në përputhje me Kodin Zgjedhor. Ajo respekton procedurën në emër të zbatimit në praktikë të një barazie të munguar kushtetuese.

Lini nje koment