Forumi i Gruas Socialiste, nën drejtimin e kryetares Olta Xhaçka, zhvilloi sot një tryezë diskutimi me përfaqësuese të shoqërisë civile dhe përfaqësuese të politikës në qeverisjen vendore dhe lokale. Pjesë të kësaj tryeze ishin disa prej ministreve të qeverisë si Ministrja e Kultursë Znj. Mirela Kumbaro, Ministrja e Informacionit znj. Milena Harito, Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit znj. Eglantina Gjermeni, si dhe Zv/ministrja e Brendshme znj. Elona Gjebrea. Kjo tryezë kishte në fokus nismën ligjore që disa nga deputetet e Partisë Socialiste, me iniciativë të FGS, kanë ndërmarrë për përfaqësimin e grave në listat e ardhshme zgjedhore me 50%.

 

Për kryetaren e FGS kjo nismë nuk duhet të shikohet si politikë, por si një betejë që u takon të gjitha grave. Xhaçka tha se nuk është e rëndësishme që gratë të shikohen si statistikë, por një mundësi për një politikëbërje më të mirë. “Nuk e kemi thirrur këtë takim mes nesh në frymën e një agjende partiake, përkundrazi, si propozuese të ‘projektligjit për rritjen e përfaqësimit të grave në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në masën 50%’.

E kemi thirrur këtë takim se besojmë se beteja për garantimin e barazisë gjinore në politikëbërje e vendimmarrje, është një betejë që na takon të gjithëve: ne politikaneve, përfaqësuese të komuniteteve ku votohemi; juve si gra aktive, si përfaqësuese të disa organizatave, që keni kontribuar shumë për fuqizimin e grave në politikë dhe avancimin e tyre drejt me shumë mundësive të barabarta.

Beteja për garantimin e barazisë gjinore është betejë e kohës që jetojmë dhe efektet pozitive të saj prekin të gjithë shoqërinë pa dallim. Shoqëria shqiptare dhe barazia gjinore, besoj fort, përcaktojnë shkallën e progresit të njëra-tjetrës.

Proceset zgjedhore në Shqipëri janë shoqëruar me diskriminim gjinor, sikurse është  votimi familjar, përqindja e ulët e grave si komisionere zgjedhore dhe, nën këtë presion, edhe me pjesëmarrje të ulët të grave në votime. Një shoqëri e cila synon të ketë qeverisje të mirë dhe sistem elektoral të drejtë e të lirë, nuk ndërtohet si e tillë, pa përfshirje të plotë e të denjë të të dy gjinive.

Në këtë kuptim, gjykoj që rritja e pjesëmarrjes së grave në politikë, pas zgjedhjeve të vitit 2013, është një mundësi për fuqizimin e rolit të grave në vend. Zgjedhjet e ardhshme parlamentare janë një mundësi për ta ruajtur dhe cimentuar këtë trend pozitiv të rritjes së pjesëmarrjes së grave në politikë e vendimmarrje. Ndaj gjykoj që përpjekjet tona, nga ky moment, duhet të jenë më të koordinuara për ta mbajtur këtë çështje në vëmendje të politikës dhe opinionit publik dhe për të përcjellë bashkarisht edhe në Komisionin e Reformës Zgjedhore.

Me parimin e “kuotës” në Kodin Zgjedhor, në legjislaturën 2009-2013, vetëm 16% e deputetëve ishin gra. Më pas, në zgjedhjet e vitit 2013 partitë politike shmangën hapur kuotat gjinore të imponuara nga ligji dhe për këtë u dënuan sëbashku në një vlerë me 22 milionë lekë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në shtator 2013.

Nisur nga situata e krijuar dhe duke vlerësuar rëndësinë e zhvillimit të një procesi zgjedhor të drejtë dhe të bazuar në ligj, duke mbajtur në konsideratë se në zgjedhjet e fundit vendore të vitit 2015 pati një hop cilësor në parashikimin e Kodit Zgjedhor për aplikimin e kuotave gjinore për kandidatët për këshillat bashkiakë;

Duke pranuar se në zgjedhjet e fundit vendore të vitit 2015, ku u aplikua parimi barazisë gjinore, ndikoi pozitivisht në pjesëmarrjen e grave në politikë;

Duke konsideruar deklarimet publike politike të partive kryesore në pritshmëritë e pjesëmarrjes së grave në politikë;

Ne propozuam për miratim në Kuvendin e Shqipërisë aplikimin e kuotave gjinore në masë të barabartë, në kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë.
Sepse besojmë që përfaqësimi i barabartë (50% me 50%) për secilën gjini, do të ketë një efekt cilësor në pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e grave në politikë, por edhe se garantimi i kësaj kuote në Kodin Zgjedhor për zgjedhjet për Kuvendin është një plotësim që duhet bërë, me qëllim që të vendoset i njëjti standard si në rastin e zgjedhjeve vendore. Nuk do të kishte kuptim që në të njëjtin Kod Zgjedhor të aplikoheshin parime të ndryshme të barazisë gjinore për zgjedhjet lokale dhe ato politike.

Gratë janë shtylla ku gjen mbështetje shoqëria shqiptare, të cilat me punën e tyre, shpesh herë të padukshme, mundësojnë progresin e saj.  Shqipëria ka nevojë për një platformë emancipimi, e cila beson në aftësitë dhe fuqinë e gruas; dhe unë ju ftoj që këtë platformë ta lançojmë bashkë, të lobojmë bashkë, dhe shpresoj shumë ta fitojmë bashkë”.

Lini nje koment